Institucionet qeveritare janë partnerë të Zyrës për Çështje të Komuniteteve
Ministria për Komunitete dhe Kthim
Ministria për Komunitete dhe Kthim është partneri kryesor i Zyrës për Çështje të Komuniteteve. Këto bashkëpunojnë në zhvillimin e politikave që kanë të bëjnë me komunitetet dhe planifikimin e rregullt për nevojat e komuniteteve në nivel komunal, në bashkëpunim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, në hartimin e Strategjisë për Komunitete dhe në Planin Vjetor të Veprimit, siç është përcaktuar në nenin 13 të Ligjit mbi Mbrojtjen dhe Promovimin e të drejtave të Komuniteteve, në identifikimin e çështjeve të komuniteteve duke e sjellë atë në vëmendjen e institucioneve përkatëse të shtetit ose të strukturave, për zhvillimin e fushatave të informimit dhe për përdorimin e fondeve.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal është vija kryesore për Zyrën për Çështje të Komuniteteve për të monitoruar zbatimin e legjislacionit dhe politikave, dhe për të vlerësuar nevojat e anëtareve të komuniteteve në nivel komunal. Përveç kësaj, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal do ti mundësojë Zyrës për Çështje të Komuniteteve të distribuojë informata dhe të ndihmojë në sigurimin e një zyre efikase të fondeve për projekte të komunitetit në nivel komunal ose lokal.
Ministritë tjera të linjës
Përderisa Zyra për Çështje të Komuniteteve ka rol këshillues, ajo gjithashtu rekomandon përmirësimin e shpërndarjes së politikave të komuniteteve dhe të pjesëtarëve të tyre. Ministritë janë përgjegjëse për zbatimin e këtyre politikave dhe për këtë arsye janë partnerë të ZÇK-së.
Zyra për Çështje të Komuniteteve do të monitorojë nga afër veprimtarinë e çdo ministrie në lidhje me çështjet e komuniteteve dhe do ti rekomandojë kryeministrit për të siguruar zbatimin efektiv të legjislacionit dhe politikave që kanë të bëjnë me komunitetet.
Sektori Ministror për të Drejtat e Njeriut
Zyra për Çështje të Komuniteteve do të punojë ngushtë me Njësitë Ministrore të të Drejtave të Njeriut, në veçanti me specialistë të komuniteteve, duke bërë të mundur që kjo zyrë të jetë lidhje kyçe në çdo ministri dhe të monitorojë aktivitetet e tyre në lidhje me çështjet e komuniteteve.
Zyra për Qeverisje të Mirë, të Drejta të Njeriut dhe Barazi Gjinore
Zyra për Qeverisje të Mirë brenda Zyrës së Kryeministrit ka mision mbikëqyrës. Këshillon ministritë dhe zhvillon politikat, si dhe siguron udhëzime për fushat e qeverisjes së mirë, të të drejtave të njeriut dhe të barazisë gjinore. Që nga përcaktimi i të drejtave të pakicave, një pjesë integrale e të drejtave të njeriut, dhe e çështjeve të komuniteteve përcaktojnë agjendën e të drejtave të njeriut. Zyra për Qeverisje të Mirë dhe Zyra për Çështje të Komuniteteve kanë përgjegjësi të ngjashme në fushat e tyre përkatëse. Ato bashkëpunojnë ngushtë në ushtrimin e aktiviteteve të tyre, për të siguruar bashkëpunim efikas dhe për të shmangur dyfishimin e përpjekjeve.
Këshilli Konsultativ për Komunitete
Këshilli Konsultativ për Komunitete, si organ kryesor i cili u mundëson komuniteteve ti sjellin çështjet e tyre në vëmendjen e qeverisë, do të jetë një mjet esencial për Zyrën për Çështje të Komuniteteve për identifikimin e nevojave të komuniteteve dhe për rekomandimin e politikave adekuate në pajtim me këto nevoja. Përveç kësaj, Këshilli Konsultativ për Komunitete do të sigurojë të dhënat mbi efikasitetin e perceptuar të politikave qeveritare dhe do të bashkëpunojë në projektimin e fushave të informimit.
Kuvendi i Kosovës dhe Komisioni i tij për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve
Zyra për Cështje të Komuniteteve, si organ qeveritar, është përgjegjëse para Kuvendit të Kosovës për punën dhe arritjet dhe do të bashkëpunojë me institucionet përkatëse qeveritare për tia siguruar kuvendit informacionet e nevojshme, duke i mundësuar atij që të vlerësojë punën e qeverisë në lidhje me komunitetet. Përveç kësaj, Kuvendi i Kosovës, duke pasur funksionin primar për miratimin e legjislacionit, dhe Zyra për Çështje të Komuniteteve, kanë përgjegjësinë të sigurojnë përputhshmërinë e ligjeve të propozuara me kornizën ligjore në fuqi për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve, si dhe trajtimin e shqetësimeve të komuniteteve. Ato do tia sigurojnë Kuvendit, më saktësisht Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve, të gjitha informatat e nevojshme, duke ia bërë të mundur që ky komision ta kryej funksionin e vet.
Institucioni i Avokatit të Popullit
Institucioni i Avokatit të Popullit, si institucion i pavarur, është i mandatuar ti adresojë të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut apo keqpërdorimet e autoritetit nga ana e institucioneve publike të Kosovës dhe të sigurojë që të gjithë personat në Kosovë të jenë në gjendje të ushtrojnë në mënyrë efikase të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të garantuara me standardet ndërkombëtare të drejtave të njeriut, si dhe të sigurojë vlerësim të pavarur të zbatimit të standardeve të të drejtave të njeriut në nivel lokal.
Si i tillë, ky institucion do ti mundësojë Zyrës për Çështje të Komuniteteve të trajtojë shkeljet e përsëritura të të drejtave të komuniteteve dhe të njoftojë kryeministrin për rastet e shkeljeve të rënda që kërkojnë angazhim më të madh politik.
Zyra Civile Ndërkombëtare
Zyra Civile Ndërkombëtare, e krijuar në Propozimin Gjithëpërfshirës për zgjidhjen e Statusit të Kosovës, dhe e ngarkuar për mbikëqyrjen e zbatimit të dispozitave të Propozimit, është një partner i rëndësishëm ndërkombëtar i Zyrës për Çështje të Komuniteteve.
Me praninë në nivel komunal, duke krijuar takime të rregullta me përfaqësues të Zyrës Civile Ndërkombëtare, do ti mundësojë Zyrës për Çështje të Komuniteteve të bëjë monitorimin dhe zbatimin e politikave.
Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë
Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë është përgjegjëse për zbatimin e politikës së bashkimit Evropian për Kosovën, dhe mbështet institucionet e Kosovës në përmbushjen e kritereve për pranim, përmes Procesit të Stabilizim Asocimit, ofrimit të këshillave në përpjekjet e Kosovës për reforma, si dhe për ndihmë të qëndrueshme financiare. Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë është një partner kyç i Zyrës për Çështje të Komuniteteve në mbështetjen dhe respektimin e të drejtave të pakicave.
Misioni Evropian mbi Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)
Misioni i EULEX-it ka mandat të ndihmojë autoritetet kosovare në zhvillimin e sundimit të ligjit. Mbështetja është fokusuar në fushat e policisë, të gjyqësorit dhe të doganave, duke kontribuar në forcimin e institucioneve shumetnike, të lira nga ndërhyrja politike, duke respektuar standardet e njohura ndërkombëtarisht dhe praktikat më të mira evropiane. Misioni, në bashkëpunim të plotë me ndihmën e programeve të Komisionit Evropian, do ta zbatojë mandatin e tij përmes monitorimit, udhëzimit dhe këshillimit, duke mbajtur përgjegjësi të caktuara ekzekutive. EULEX-I është një partner i rëndësishëm i Zyrës për Çështjeve të Komuniteteve për garantimin e të drejtësisë, sigurisë, lirisë së lëvizjes për pjesëtarët e të gjitha komuniteteve.
Administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK)
Në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244, UNMIK-u instaloi praninë ndërkombëtare në Kosovë. Pas shpalljes së pavarësisë, UNMIK-u u kthye nga një rol ekzekutiv në një rol të monitorimit dhe të mbështetjes së institucioneve lokale.
Programi Zhvillimor i Kombeve të Bashkuara(UNDP)
UNDP është një rrjet i zhvillimit global i Kombeve të Bashkuara. Brenda Kosovës është i përqendruar në zhvillimin ekonomik dhe në punësim; mbështet romët, ashkalinjtë dhe komunitetin egjiptian; siguron sundimin e ligjit. Rrjeti i kthimit të zyrtarëve të UNDP-së ka lidhje të ngushta me qeverinë lokale dhe është partner i rëndësishëm për Zyrën për Çështje të Komuniteteve.
Komisionari i lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR)
UNHCR ka mandat që të udhëheqë dhe të koordinojë veprimet ndërkombëtare për mbrojtjen e refugjatëve në mbarë botën, dhe zgjidhjen e problemeve të tyre. Në kuadër të aktiviteteve të punës së saj në Kosovë, Zyra për Çështje të Komuniteteve ndihmon në qasjen e komunitetit në shërbimet publike, duke ofruar këshilla ligjore për anëtarët e komunitetit, si dhe duke i zgjidhur problemet pronësore, pensionet dhe dokumentacionin, dialogun ndëretnik dhe ndërtimin e tolerancës në nivel lokal.
Zyra e Komisionarit të Lartë për të Drejtat e Njeriut (OHCHR)
OHCHR është një departament i Sekretarit të Kombeve të Bashkuara, i mandatuar për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e njeriut. Puna e saj në Kosovë përfshin monitorimin e gjendjes së të drejtave të njeriut, duke përfshirë edhe përputhjen e legjislacionit me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe mbështetjen e institucionit të Avokatit të Popullit. Të gjitha këto aktivitete janë të rëndësishme për komunitetet në Kosovë, si dhe për punën e Zyrës për Çështje të Komuniteteve.
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) Misioni në Kosovë dhe Komisioneri i Lartë për Pakicat Kombëtare
Misioni i OSBE-së në Kosovë është i mandatuar për ndërtimin e institucioneve dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të sundimit të ligjit. Ai ka një prani të fortë veçanërisht në terren. Komisionari i Lartë për Pakicat Kombëtare është i mandatuar si një instrument për parandalimin e konflikteve në fazën më të hershme. Komisionari i Lartë vepron si një sistem parandalues i hershëm dhe si një mision diplomatik parandalues. Zyra për Çështje të Komuniteteve do ti përdorë këto institucione si një mekanizëm për përmirësimin e të kuptuarit të saj të përgjithshëm për çështjet e pakicave dhe për të identifikuar sfidat e mundshme për qeverinë në marrëdhëniet e saj me komunitetet.
Organizatat Joqeveritare Ndërkombëtare (INGOs)
Care International, Këshilli i Refugjatëve Danez, Mercy Corps, Save the Children, Swiss Caritas and World Vision janë disa nga organizatat joqeveritare ndërkombëtare në Kosovë. Puna e tyre në fushën e akomodimit të komuniteteve, kthimit dhe të drejtave të pakicave i bënë ata partnerë të rëndësishëm të Zyrës për Çështje të Komuniteteve përmes projekteve të përbashkëta.
Shoqëria Civile në Kosovë (OJQ), gjithashtu është e involvuar me punën e saj me Zyrën për Çështje të Komuniteteve, përmes shkëmbimit të informatave dhe projekteve të përbashkëta. Përfaqësuesit e organizatave, pjesë të Këshillit Konsultativ për Komunitete (KKK), dhe ata të rrjetit të organizatave të komuniteteve, artikulojnë prioritetet e komuniteteve dhe format e tjera vendimtare për zgjidhjet ligjore dhe për politikën e qeverisë.
Siç është theksuar më lartë, ZÇK do të punojë ngushtë me KKK-në për të shfrytëzuar linjat e komunikimit të saj me komunitetet, duke ndihmuar zyrën dhe punën gjithëpërfshirëse të qeverisë me komunitetet.