Twitter Facebook Youtube

Konferenca 'Puna e Zyrës së Kryeministrit në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve', u mbajt sot në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës

15.01.201016:18

Prishtinë, 15 janar 2010

Sot, duke filluar në ora 11:00, në Ndërtesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, u mbajt konferenca ceremoniale “Puna e Zyrës së Kryeministrit në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve”.

Zyra për Çështje të Komuniteteve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, në bashkëpunim me Ambasadën e Zvicrës në Kosovë, organizuan konferencën ceremoniale për të prezantuar të arriturat në çështjet e komuniteteve, gjatë vitit 2009. Përmes kësaj konference, Zyra e Kryeministrit falënderoi Departamentin Federal Zviceran për Punë të Jashtme, për përkrahjen e vazhdueshme që i dha Qeverisë së Kosovës, në veçanti Zyrës për Çështje të Komuniteteve.

Në konferencë ishin të pranishëm Zëvendëskryeministri i Kosovës, z.Ramë Manaj, Ambasadori i Zvicrës, Lukas Beglinger, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale,

z. Nenad Rašić, drejtori i Zyrës për Çështje të Komuniteteve(ZÇK), z. Srdjan Sentić , drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, z. Habit Hajredini, drejtori i Qendrës Evropiane për  Çështje të Minoriteteve, z. Adrian Zeqiri, Këshilltari për Ndërtimin e Paqes nga Departamenti Federal Zviceran për Punë të Jashtme, Armin Rieser, përfaqësues nga ambasadat, ministritë e linjës, komunat, Këshilli Konsultativ për Komunitete, pjesëtarë nga shoqëria civile dhe përfaqësues nga organizatat ndërkombëtare.  

Zëvendëskryeministri Manaj vlerësoi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve nëpërmjet ligjeve të saja, institucioneve dhe strategjive.

“Statutet siç është Ligji për Mbrojtjen e të Drejtave të Komuniteteve, strategjitë gjithëpërfshirëse që trajtojnë çështjet e komuniteteve, nxjerrin në pah angazhimin e kësaj qeverie për integrimin e të drejtave të komuniteteve”, tha zëvendëskryeministri Manaj.

Ai në vazhdim tha se “duke marrë për bazë interesat dhe nevojat që kishin komunitetet, Kryeministri Thaçi, në vitin 2008 e krijoi Zyrën për Çështje të Komuniteteve, që të sjellë koherencë në qasjen e qeverisë ndaj komuniteteve. Zyra për Çështje të Komuniteteve vepron si koordinator i programeve të qeverisë dhe është një shtytës i zbatimit e të drejtave të komuniteteve brenda asaj që realizon qeveria”, theksoi në vazhdim zëvendëskryeministri Manaj.

Ambasadori zviceran, z. Lukas Beglinger, në fjalimin e tij rikujtoi angazhimin e  Qeverisë së Kosovës për zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për  Zgjidhjen e Statusit.

Qeveria Zvicerane përmes kanaleve dhe mjeteve të ndryshme, si dhe përmes Qendrës Evropiane për Çështje të Minoriteteve, ka mbështetur vazhdimisht hartimin e legjislacionit përkatës dhe ka kontribuar në krijimin e ZÇK-së.

"Zvicra qëndron e angazhuar të vazhdojë mbështetjen e saj në këtë fushë, duke u bazuar në traditën dhe eksperiencën e saj si një vend ku diversiteti i madh gjuhësor, kulturor dhe fetar i të cilit  nuk kanë lënë ndonjë zgjidhje tjetër, veçse për të zhvilluar një kulturë politike të dialogut", theksoi ambasadori Beglinger.

Ndërsa, drejtori i Zyrës për Çështje të Komuniteteve, Srdjan Sentic, pas falënderimit për Qeverinë e Zvicrës, prezantoi të arriturat e ZÇK-së gjatë vitit 2009, si dhe shpalosi objektivat për vitin 2010.

“Në mënyrë që të vlerësojë zbatimin e legjislacionit dhe politikave dhe ndikimin e tyre tek komunitetet, Zyra për Çështje të Komuniteteve ka zhvilluar studime vjetore të politikës. Prandaj, ZCK ka dedikuar studimin e saj të parë të politikës në përfaqësimin e komuniteteve në shërbimin civil dhe ndërmarrjet në pronësi publike. Në vitin 2010, studimi do t’i kushtohet çështjes së përdorimit të gjuhëve ”, theksoi z. Sentic.  

Gjatë vitit 2009, Zyra për Çështje të Komuniteteve ka mbështetur mbi 35 projekte të ndryshme për banim, ndërtim të infrastrukturës, për qasje në arsim dhe promovim të kulturave të komuniteteve, me fokus kryesor në komunitetet pakicë të Republikës së Kosovës.

Prioritetet e projekteve të ZÇK-së për vitin 2010, do të publikohen në faqen zyrtare të internetit dhe do t’i dedikohen audiencës së gjerë.

ZÇK-ja së shpejti do të nisë faqen e saj zyrtare të internetit që do të përfshijë informata mbi ZÇK-në, por edhe për të gjitha komunitetet e Kosovës.

Në vitin 2010, Zyra do të punojë me komunitetet për të siguruar zbatimin e politikave, në veçanti zbatimin e Strategjisë për komunitetet Romë, Ashkali dhe  Egjiptas.

Konkurse
Kategoria
All
Buletinet - 2013

Projekti i finansuar nga Zyre per Çeshtje te Komuniteteve

www.posaonakosovu.com