Zyra për Çështje të Komuniteteve, edhe në këtë vit shënoi 8 Prillin-Ditën ndërkombëtare të romëve
8 Prilli shënon Kongresin e parë ndërkombëtar të romëve në vitin 1971, dhe përpjekjet e para të komunitetit rom për bashkim dhe për t'i dhënë fund diskriminimit me të cilin ky komunitet përballej në atë kohë kudo në botë.
Me këtë rast, Zyra për Çështje të Komuniteteve organizoi një konferencë solemne në të cilën morën pjesë Zëvendëskryeministri / Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic, Zëvendëskryeministri / Ministër i Drejtësisë Hajredin Kuçi, Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, Ministri për Komunitete dhe Kthim Dalibor Jevtic, ambasadorja e SHBA-së në Kosovë Tracey Ann Jacobson, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ian Cliff, Koordinatori i KB për zhvillim-përfaqësues i përhershëm i UNDP në Kosovë, Andrew Russell, përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, të Zyrës se Presidentes së Kosovës, përfaqësuesi i posaçëm i BE, përfaqësues të Këshillit Konsultativ për Komunitete, përfaqësuesit e komunitetit rom, të OJQ-ve dhe të mediave.
Me përshëndetjen "BAHTALO ROMANO", Drejtori i Zyrës për Çështje të Komuniteteve, Srdjan Popovic, uroi Ditën Ndërkombëtare të Romëve. Konsideroj se përveç punës në sigurimin e kushteve themelore të jetesës për këtë komunitet, thelbësore është mbështetja për arsimin në të gjitha nivelet në mënyrë që në procesin e punësimit të jenë të barabartë me komunitetet e tjera.
Të nderuar përfaqësues të komunitetit rom, dëshiroj të vazhdojmë bashkëpunimin e suksesshëm që kemi pasur gjatë viteve të kaluara, ti përkushtohemi zgjidhjes së problemeve konkrete, zhvillimit të programeve konkrete që do ti kemi me institucionet e tjera, për ti zgjidhur në mënyrë efikase problemet dhe për të zhvilluar strategji afatgjata. Unë shpresoj që ditën e ardhshme të romëve do ta presim me shumë më tepër rezultate te arritura, tha Popovic.
Zyra për Çështje të Komuniteteve do të vazhdojë të punojë në iniciativat për përmirësimin e politikave të punësimit të komuniteteve dhe në zhvillimin ekonomik, duke pasur parasysh se qëllimi dhe obligimi i zyrës është integrimi i plotë i komuniteteve.