Twitter Facebook Youtube

Përurohet rruga në Bostan të Novobërdës

07.12.200913:22

Prishtinë, 07 dhjetor 2009

Të hënën, në ora 11:30, në fshatin Bostan të Komunës së Novobërdës, u bë përurimi i rrugës në gjatësi prej 200 metrash. Zyra për Çështje të Komuniteteve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), financoi projektin për ndërtimin e rrugës në vlerë 18 mijë 560 euro. Ky projekt është pjesë e Programit për Nismën e Ndryshimeve, financuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në Qeverinë e Kosovës dhe USAID-i, në bazë të Memorandumit të Bashkëpunimit mes këtyre dy institucioneve.

Në ceremoninë e përurimit të asfaltimit të kësaj rruge morën pjesë Michael Murphy, zëvendësshef i Misionit të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Srdjan Sentic, drejtor i Zyrës për Çështje të Komuniteteve/Zyra e Kryeministrit, Susan Fritz, zëvendësdrejtoreshë e USAID-it, Matthew Pietz, drejtor i programit të AED –së, Nisma e Ndryshimeve Pozitive, dhe Bajrush Ymeri, kryetar i Komunës së Novobërdës.

z. Sentic vlerësoi se komuna e Novobërdës është një shembull i shkëlqyer i bashkëjetesës së komuniteteve të ndryshme, duke cilësuar kështu se Qeveria e Kosovës vazhdon të jetë e përkushtuar për të ndërtuar një Kosovë multietnike.

“Komuna e Novobërdës është simbol i tolerancës. Qeveria e Kosovës dhe USAID-i ka pasur bashkëpunim shumë të mirë me komunitetin vendas në realizimin e projekteve shumë-etnike. Ne jemi të përkushtuar për të ndërtuar një Kosovë shumë-etnike, demokratike ku respektohen të drejtat dhe liritë e qytetarëve pa dallim përkatësie etnike”, tha Srdjan Sentic, Drejtor i Zyrës së Kryeministrit për Çështje të Komuniteteve.
 
Ndërsa, zëvendës-ambasadori z. Murphy, vlerësoi se ky projekt ndikon drejtpërdrejtë në bashkëpunimin në mes të komuniteteve dhe përmirësimin e kushteve për jetesë në këtë vend. Ai e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm rolin e qeverisë në zhvillimin e komunave.
 “Janë ata përfaqësues të zgjedhur të kësaj komune të cilët më së miri e dinë se çka është në të mirë të komunitetit në nivelin lokal, kurse Qeveria e Kosovës e ka detyrë të përkrahë komunat. Por, kyç është roli i komunitetit lokal që e ka marrë përsipër këtë iniciativë, kurse mesazhi kryesor është që njerëzit duhet të inkuadrohen në procese nëse duan të shohin ndryshime. Këta janë njerëzit që kanë vendosur të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të Kosovës”, theksoi Michael Murphy, zëvendës-ambasador i SHBA-ve në Kosovë.

 “Kjo rrugë dhe projektet të cilat janë realizuar edhe nga USAID-i amerikan në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit, tregojnë përkushtimin e tyre për të ndihmuar të gjithë qytetarët e komunës së Novobërdës pa dallim etnie që ata i takojnë”, tha Bajrush Ymeri, kryetar i Komunës së Novobërdës.

Pas inaugurimit të rrugës nxënësit e shkollës fillore të këtij fshati kishin përgatitur një program me këngë për të pranishmit.

Konkurse
Kategoria
All
Buletinet - 2013

Projekti i finansuar nga Zyre per Çeshtje te Komuniteteve

www.posaonakosovu.com