Twitter Facebook Youtube

Nënshkruhet marrëveshja për ndërtimin e objektit të banimit për komunitetet në nevojë në Komunën e Ranillugut

30.03.201013:24

Prishtinë, 30 mars 2010
 
Sot në ora 11:00, në fshatin Ropotovë të Komunës së Ranillugut, këshilltari i lartë i Kryeministrit dhe njëherit edhe drejtor i Zyrës për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit, z. Srdjan Sentić, ministri për Komunitete dhe Kthim, z. Saša Rašić dhe kryetari i Komunës së Ranillugut, z. Gradimir Mikić, nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit për fillimin e implementimit të projektit për ndërtimin e objektit kolektiv të banimit për komunitetet në nevojë. Ky projekt është investim i përbashkët i Zyrës për Çështje të Komuniteteve/Zyra e Kryeministrit, Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, dhe Komunës së Ranillugut. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje ka një rëndësi të veçantë dhe është shembull i bashkëpunimit ndër-institucional në çështjet e zgjidhjes së problemeve të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, si dhe funksionalizimin e barabartë të të gjitha komunave në Kosovë. Vlera e këtij projekti është 448,102.00 euro dhe u dedikohet familjeve të pastrehë të kësaj komune, dhe të zhvendosurve brenda vendit. Nga vlera totale e fondit të këtij projekti, 75.45 % dhurohen nga Zyra për Çështje të Komuniteteve.
 
Në fjalimin e tij drejtuar zyrtarëve të lartë të Komunës së Ranillugut, për këtë vepër të re publike që do të ndihmojë strehimin e familjeve në nevojë, z. Sentić u shpreh: “Kjo është vetëm një nga iniciativat e Zyrës për Çështje të Komuniteteve për mbështetjen dhe financimin e projekteve prioritare të komunës së Ranillugut. Zyra për Çështje të Komuniteteve është e përkushtuar dhe ka prioritet që të bëjë sa më shumë që është e mundur për stabilizimin e komuniteteve dhe zhvillimin e komunave të reja”.
 
Në vazhdim të fjalimit të tij z. Sentić se bëri të ditur se në bashkëpunim me institucionet qeveritare, e në veçanti me Ministrinë për Komunitete dhe Kthim do të jenë të përkushtuar për të ndihmuar trevat që kanë nevojë, e në veçanti komunat e reja të dala nga procesi i decentralizimit, në mënyrë që të jenë të barabarta në funksionim, ashtu sikurse komunat tjera.
 
Ndërsa, ministri Rašić në fjalimin e tij tha se ”ndër prioritetet e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim është përkrahja e komunave të reja të dala nga procesi i decentralizimit. Bazuar edhe në mandatin e MKK-së ne shprehim vullnetin e mirë për t’i ndihmuar kthimin e qëndrueshëm të qytetarëve të Kosovës, që të kthehen në vendbanimet e tyre dhe të kenë një jetë sa më të mirë”, theksoi z. Rašić.
 
Ndërsa, kryetari i Komunës së Ranillugut, z. Gradimir Mikić duke falënderuar Qeverinë e Kosovës përkatësisht Zyrën për Çështje të Komuniteteve dhe Ministrinë për Komunitete dhe Kthim theksoi se “duke pasur parasysh faktin se Komuna e Ranillugut është e krijuar rishtazi, ne jemi të përkushtuar të ofrojmë kushte sa më të mira jetese për qytetarët e komunës së Ranillugut. Falënderoj Qeverinë e Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme dhe besoj që ky bashkëpunim i mirëfilltë në interes të banorëve të kësaj komune, nuk do të mungojë as në të ardhmen”, tha z. theksoi z. Mikić.
 
Zyra për Çështje të Komuniteteve/Zyra e Kryeministrit(ZÇK/ZKM) do të vazhdojë edhe më tutje të ndihmojë projekte të ndryshme që çojnë në përmirësimin e gjendjes sociale dhe stabilizimin e kushteve të jetesës për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. 


ZÇK/ZKM deri më tani ka përkrahur shumë projekte të këtij lloji si dhe ato të infrastrukturës, projekte që promovojnë kulturën, sportin, si dhe traditë fetare të komuniteteve në Kosovë.

Konkurse
Kategoria
All
Buletinet - 2013

Projekti i finansuar nga Zyre per Çeshtje te Komuniteteve

www.posaonakosovu.com