Twitter Facebook Youtube

Takimi midis Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Hungarisë lidhur me procesin e aplikimit për anëtarësim të Kosovës në Dekadën Rome

15.04.201017:10

Budapest, 15 prill 2010

Qeveria e Kosovës dhe Qeveria Hungareze u dakorduan për thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit bilateral në çështjet sociale, të edukimit, shëndetësisë dhe  punësimit. Mirëpo, fokus kryesor i bisedimeve ndërmjet dy palëve ishin çështjet komunitetit romë në përgjithësi, jo vetëm në Kosovë dhe Hungari, por në gjithë Evropën. Në vazhdën e angazhimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës për  stabilizimin dhe krijimin e kushteve dhe mundësive adekuate, për një jetë sa më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës,  është edhe iniciativa për procesin e aplikimit për anëtarësim të Kosovës në Dekadën Rome 2005-2015. Dekada shërben si një forum për shkëmbimin e praktikave më të mira dhe futjen e nismave të reja. Kjo iniciativë fillimisht e nisur nga Qeveria Hungareze në vitin 2003, synon të rrisë përpjekjet e qeverive të vendeve anëtare për stabilizimin dhe integrimin e komunitetit romë.

Gjatë një vizite tre ditore në Budapest të Hungarisë, një delegacion qeveritar i kryesuar nga ministri për Komunitete dhe Kthim, Sasa Rasic, në përbërje të të cilit janë edhe këshilltari i lartë i Kryeministrit dhe njëherit edhe drejtor i Zyrës për Çështje të Komuniteteve, Srdjan Sentic, dhe drejtori i Zyrës për Qeverisë të Mirë, Habit Hajredini, u takuan me ministrin e Mirëqenies Sociale të Qeverisë së Hungarisë, z. La’szlo’ Herczog, me përfaqësues të Institutit për Shoqëri të Hapur në Hungari, si dhe me udhëheqës të Sekretariatit Koordinues të Dekadës Rome.

Gjatë takimeve u diskutuan çështje të ndryshme për stabilizimin e komunitetit romë, si dhe procesi i anëtarësimit dhe përkrahja nga partnerët për anëtarësim të Kosovës në Dekadën Rome. Ministri Herczog vlerësoi lartë iniciativën për anëtarësim të Kosovës dhe premtoi përkrahjen e plotë të institucionit të tij që njëherit është edhe  pikë kyçe koordinuese e këtij procesi. Ai theksoi përkrahjen e fuqishme për Qeverinë e Kosovës në iniciativa të këtilla regjionale, që synojnë përmbushjen e vlerave dhe standardeve evropiane. Ai bëri të ditur se deri më tani është punuar shumë në stabilizimin dhe integrimin e plotë të komunitetit romë në vendet anëtare të Dekadës, por akoma mbetet për t’u bërë sidomos në katër fushat kryesore në të cilat edhe është i fokusuar programi i Dekadës, përkatësisht strategjitë e shteteve anëtare. Edukimi, ndërtimi i shtëpive, shëndetësia dhe punësimi janë çështjet kryesore në të cilat vendet anëtare vazhdojnë të kontribuojnë, në mënyrë që të arrihet integrimi i plotë i romëve në shoqëri.

Ndërsa, në takimin informativ me udhëheqës të Institutit për Shoqëri të Hapur, u diskutuan të arriturat dhe përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për integrimin e plotë të komunitetit romë, si dhe u negociua procesi i aplikimit për anëtarësim të Kosovës në Dekadën Rome. Drejtori i Institutit për Shoqëri të Hapur, Bernard Rorke, vlerësoi lartë nismën e Qeverisë së Kosovës për anëtarësim në Dekadën Rome dhe u shpreh i kënaqur me të arriturat e kësaj qeverie në përpilimin e dokumenteve adekuate të cilat shërbejnë si bazë për aplikim në këtë iniciativë ku anëtarë janë disa nga vendet e Evropës dhe Ballkanit. Strategjia për Integrimin e komuniteteve Romë, Ashkali dhe Egjiptas dhe  Plani i Veprimit për implementimin e kësaj strategjie, si dhe publikimi i hulumtimeve të tilla siç është studimi mbi Punësimin e komuniteteve jo-shumicë në Shërbimin Civil të Kosovës dhe në Ndërmarrjet e pronësisë Publike, është dëshmi e fuqishme që Kosova me seriozitet të plotë e ndjek këtë proces, vlerësoi z. Rorke. Ai në emër të institucionit që drejton, shprehu gatishmërinë dhe premtoi që të ndihmojë procesin e aplikimit për anëtarësim të Kosovës ne Dekadën Rome.

Zhvillimi i këtyre takimeve u mundësua nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS) dhe Instituti për Shoqëri të Hapur me seli në Budapest.

Ideja për nisjen e një dekade rome, doli nga konferenca rajonale “Romët në një Evropë të Zgjeruar: Sfidat për të ardhmen” e prezantuar nga Qeveria Hungareze në verë të vitit 2003 në Budapest dhe organizuar nga Instituti për Shoqëri të Hapur dhe Banka Botërore. Kjo ngjarje u përkrah nga Komisioni Evropian dhe UNDP-ja. Ndërkaq viti 2004 iu dedikua më shumë elaborimit të iniciativës dhe përgatitjes për nisjen zyrtare të Dekadës Rome 2005-2015. Qeveria Hungareze nën angazhimin e Kryeministrit, mori rolin udhëheqës në fazën e përgatitjes për të themeluar një Sekretariat që do të koordinonte punën ndërkombëtare dhe fillimin e organizimit të takimeve përgatitore. Dekada e Përfshirjes së Romëve u nis zyrtarisht në shkurt të vitit 2005 në Sofje të Bullgarisë, me pjesëmarrjen e kryeministrave të 9 vendeve themeluese, dhe kryetarit të Institutit për Shoqëri të Hapur dhe Presidentit të Bankës Botërore.  Deri më tani janë gjithsej 12 vende anëtare në Dekadën Rome. 

Konkurse
Kategoria
All
Buletinet - 2013

Projekti i finansuar nga Zyre per Çeshtje te Komuniteteve

www.posaonakosovu.com