Twitter Facebook Youtube

Çdo ditë e më shumë po punohet në zvogëlimin e numrit të pastrehëve

25.11.201016:15

Prishtinë, 25 nëntor 2010

Familja Halili nga radhët e komunitetit ashkali, që deri më tani kishte jetuar në kushte tejet të vështira ekonomiko-sociale dhe në një shtëpi pothuajse të rrënuar, në mungesë të ujit dhe higjienës totale, tashmë u vendos në shtëpinë e re të ndërtuar në Podujevë nga Zyra për Çështje të Komuniteteve.

Ky projekt u realizua pas kërkesës së parashtruar nga kjo familje dhe pas analizimit të gjendjes së rëndë në të cilën jetonin shtatë anëtarë të familjes Halili. Shtëpia ka një sipërfaqe prej 75 metër katrorë dhe përmbush standardet e nevojshme për strehimin e pjesëtarëve të kësaj familjeje.

Kryefamiljari i kësaj shtëpie z. Basri Halili, i cili jeton me nënën, bashkëshorten dhe katër fëmijët është i papunë dhe tregon se deri para pak muajsh familja e tij mbijetonte vetëm nga të ardhurat mujore të pensionit invalidor. Mirëpo, bashkëshortja e tij, znj. Halili para pak muajsh kishte gjetur punë me një pagë simbolike, por që e mjaftueshme për të mbijetuar. Fëmijët e tyre janë që të gjithë  në shkollë. 

Gjatë një vizite që i bëri sot kësaj familjeje këshilltari i lartë i Kryeministrit dhe drejtor i ZÇK-së, z. Srdjan Sentic, në emër të Kryeministrit Thaçi, pjesëtarëve të kësaj familjeje iu dëshiroi një jetë me plotë shëndet dhe begati, duke i përgëzuar për vendosjen në shtëpinë e re. Ai theksoi se krijimi i kushteve minimale për një jetë më të mirë për qytetarët, e në veçanti për familjet që jetojnë në rrethana të vështira shoqërore, është i një rëndësie jetike.

Zonja Safete Halili përfituese e kësaj shtëpie falënderoi Zyrën për Çështje të Komuniteteve duke thënë se deri më tani kanë jetuar në kushte të mjerueshme.

“Fëmijët tanë me vite janë pastruar jashtë në borë, shi e lloç, sepse nuk kishim shtëpi. Falë angazhimit dhe mbështetjes së Zyrës për Çështje të Komuniteteve ne sot kemi kulm mbi kokë si të gjithë njerëzit”. Ajo dhe familjarët u shprehën të kënaqur me standardet e ndërtimit të shtëpisë së tyre.

Konkurse
Kategoria
All
Buletinet - 2013

Projekti i finansuar nga Zyre per Çeshtje te Komuniteteve

www.posaonakosovu.com