Zyra Këshillëdhënëse për Qeverisje të Mirë, të Drejta të Njeriut dhe Mundësi të Barabarta dhe Çështje Gjinore
Zyra Këshillëdhënëse për Qeverisje të Mirë, të Drejta të Njeriut, Mundësi të Barabarta dhe Çështje Gjinore (ZQM/ZKM) ka funksionuar në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës që nga viti 2002. Ajo është e mandatuar për të mbikëqyrur dhe këshilluar ministritë për fushat brenda fushëveprimit të përgjegjësive të tyre, dhe për të hartuar politika përkatëse dhe për të dhënë udhëzime. Kjo zyrë gjithashtu vlerëson legjislacionin, politikat, procedurat dhe praktikat në aspektin e pajtueshmërisë me standardet e zbatueshme të të drejtave të njeriut dhe qeverisjes së mirë.
Edhe pse ZQM/ZKM nuk është një institucion i mandatuar shprehimisht me të drejtat dhe interesat e komuniteteve, ajo ka mandat që të përfshihet në diskutime me komunitetet në kontekstin e obligimeve të saj për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, inkurajimin e mundësive të barabarta, adresimin e çështjeve gjinore dhe ruajtjen e qeverisjes së mirë.
Zyra për Çështje të Komuniteteve
ZÇK, e vendosur në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, është organ qeveritar i cili i dedikon punën e saj koordinimit dhe mbështetjes së politikave qeveritare për komunitetet. Përgjegjësitë e ZÇK-së përfshijnë këshillimin e Kryeministrit për sa i përket çështjeve të komuniteteve, koordinimin e organeve qeveritare, donatorëve dhe institucioneve ndërkombëtare, dhe hartimi dhe monitorimi i strategjisë për komunitetet.
Ministria për Komunitete dhe Kthim
Ministria e Komuniteteve dhe Kthimit (MKK) është themeluar në vitin 2005, dhe është ministria kyçe e ngarkuar me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre. MKK-së i është dhënë një mandat i gjerë dhe i fuqishëm për të hartuar politika, dhe për të promovuar dhe zbatuar legjislacionin, mbi të drejtat e komuniteteve. MKK gjithashtu është ngarkuar me detyrën për të ndërtuar mirëbesimin në mes të komuniteteve, dhe për të hartuar dhe mbikëqyrur strategjinë qeveritare për zbatim në terren në këtë fushë.
Njësitë për të drejtat e njeriut në kuadër të ministrive
Në mars të vitit 2007 janë themeluar njësi për të drejtat e njeriut (NjDNj) në të gjitha ministritë e Qeverisë së Kosovës, me qëllim të monitorimit të pajtueshmërisë së politikave, legjislacionit dhe aktiviteteve të ministrive me standardet e zbatueshme të të drejtave të njeriut. Edhe pse nuk janë shprehimisht të mandatuara që të mbulojnë të drejtat e komuniteteve, këto aspekte mbulohen në kuadër të agjendës së tyre më të gjerë të te drejtave të njeriut.
Koordinatori për të Drejtat e Njeriut
Në maj të vitit 2007, Kryeministri ka krijuar postin e Koordinatorit të të Drejtave të Njeriut (KDNj), me detyrë për të koordinuar punën e NjDNj-ve dhe për të marrë përsipër ti raportojë qeverisë mbi të drejtat e njeriut.
Edhe këtu, në përputhje me tendencën për të trajtuar të drejtat e komuniteteve si pjesë e të drejtave të njeriut, në mandatin e KDNj-së nuk ka referim shprehimisht në të drejtat e komuniteteve, edhe pse kjo konsiderohet e nënkuptueshme. Më tej, emërimi i Drejtorit të ZQM/ZKM-së në postin e KDNJ-së ka nxitur shqetësimin sa i përket kapacitetit.
Komisioni për Komunitete
Komisioni për Komunitete, së pari i themeluar nga Rregullorja e UNMIK-ut 2007/30 dhe i riafirmuar me Ligjin mbi Vetëqeverisjen Lokale, është një nga komisionet e përhershme të Kuvendit Komunal (neni 51).
Komisioni për Komunitete është përgjegjës për shqyrtimin e politikave, praktikave dhe aktiviteteve komunale (...) me qëllim që të garantojë se të drejtat dhe interesat e Komuniteteve respektohen plotësisht dhe është përgjegjës për rekomandimin e masave shtesë për të rritur jetësimin e të drejtave të komuniteteve brenda komunës (Ligji mbi Vetëqeverisjen Lokale, neni 53.2).
Komisioni për Komunitete duhet të përbëhet nga anëtarët e Kuvendit Komunal dhe të paktën nga një përfaqësues për çdo komunitet që jeton në atë komunë. Përfaqësuesit e komuniteteve duhet të formojnë shumicën e anëtarëve të Komisionit (Ligji mbi Vetëqeverisjen Lokale, neni 53.1).
Zëvendëskryesuesi për Komunitete
Posti i Zëvendëskryesuesit për Komunitete (ZKK) është bërë pjesë e kornizës institucionale komunale me Kushtetutën e Republikës së Kosovës (neni 62).
Në komunat ku të paktën 10% e popullatës së komunës i përkasin komuniteteve jo-shumicë në atë komunë, një post i ZKK do të jetë i rezervuar në Kuvendin Komunal për një përfaqësues të atyre komuniteteve (Kushtetuta, neni 62.1, Ligji mbi Vetëqeverisjen Lokale, Neni 54.1). Posti do të mbahet nga një kandidat nga komuniteti jo-shumicë i cili merr më së shumti vota në një listë të hapur të kandidatëve për Kuvendin Komunal (Ligji mbi Vetëqeverisjen Lokale, Neni 54.2).
ZKK është përgjegjës për kultivimin e dialogut ndëretnik dhe shërben si një pikë ndërlidhëse zyrtare për adresimin e shqetësimeve dhe interesave të komuniteteve jo-shumicë në punën dhe takimet e Kuvendit Komunal (Ligji mbi Vetëqeverisjen, Neni 55.1). Në rast se një vendim i ZKK nuk merret në konsideratë nga Kuvendi Komunal, ZKK mund ta referojë çështjen drejtpërsëdrejti tek Gjykata Kushtetuese (Kushtetuta, neni 62.4).
Zëvendëskryetari i Komunës për Komunitete
Ky mekanizëm i nivelit komunal për përfaqësim të komuniteteve është rregulluar me miratimin e Ligjit mbi Vetëqeverisjen Lokale (neni 61).
Në ato komuna ku të paktën 10% e qytetarëve të asaj komune i përkasin komuniteteve jo-shumicë në atë komunë, duhet patjetër të jetë një Zëvendëskryetar për Komunitete (Ligji mbi Vetëqeverisjen, Neni 61.1), i zgjedhur për të njëjtin mandat në zyrë si edhe Kryetari i komunës (Ligji mbi Vetëqeverisjen Lokale, Neni 61.2).
ZKKK është përgjegjës të ndihmojë Kryetarin dhe ti ofrojë atij/asaj këshilla dhe udhëzime të sakta mbi çështjet që lidhen me komunitetet jo-shumicë (Ligji mbi Vetëqeverisjen Lokale, Neni 61.4). Kryetari duhet patjetër të konsultohet me ZKKK mbi çështjet që ndërlidhen me komunitetet jo-shumicë (Ligji mbi Vetëqeverisjen Lokale, Neni 58.1).
Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim
Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim (KDIKK) është komision i përhershëm i Kuvendit të Kosovës, me përfaqësim të garantuar të komuniteteve jo-shumicë. Përveç rolit të tij të përgjithshëm në Kuvendin e Kosovës, ky komision është i ngarkuar me detyrën e vlerësimit të pajtueshmërisë së legjislacionit të propozuar me të drejtat e komuniteteve, dhe për të siguruar që këto të drejta të adresohen në mënyrë adekuate. Komisioni mundet gjithashtu të ndërmarrë nisma legjislative dhe të monitorojë implementimin e ligjeve të miratuara.
KKK, i vendosur në kuadër të Zyrës së Presidentit të Kosovës, është themeluar me Dekretin Presidencial të 15 shtatorit 2008. KKK përfshin përfaqësues të të gjitha komuniteteve në Kosovë, të organizuar përmes Organizatave Përfaqësuse të Komuniteteve organizatave ombrellë (shih pjesën III.F.1.a më lart), si dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore. Këshilli është ashtu që të ndihmojë përfaqësimin politik të komuniteteve në nivelin qendror, duke vepruar si mekanizëm për shkëmbim të rregullt pikëpamjesh në mes të komuniteteve dhe institucioneve qeverisëse, dhe për tu mundësuar komuniteteve për të komentuar, në fazat e hershme të hartimit të tyre, nismat politike dhe legjislative që prekin interesat e tyre.
Avokati i Popullit
I themeluar në qershor të vitit 200, Institucioni i Avokatit të Popullit është organ i pavarur i mandatuar për të adresuar shkeljet e supozuara të të drejtave të njeriut apo keqpërdorimin e autoritetit nga institucionet e publike në Kosovë. Ajo/ai mund të hetojë ankesat e parashtruara nga cdokush në Kosovë.
Në kuadër të Institucionit të Avokatit të Popullit janë formuar tri (3) ekipe të cilat do të trajtojnë fusha me interes të posaçëm: të drejtat e fëmijëve, barazinë gjinore dhe jo-diskriminimin; çështjet e komuniteteve janë përfshirë në kuadër të fushëveprimit të Ekipit për Jo-Diskriminim (EJD). Sidoqoftë, ndonëse diskriminimi mbetet shumë i përhapur në Kosovë, Institucionit të Avokatit të Popullit i janë dorëzuar shumë pak ankesa. Për ta adresuar këtë, EJD ka ndërmarrë fushata të vetëdijesimit në mbarë Kosovën për sa i përket diskriminimit dhe procedurave të ankimit, dhe ka kërkuar që edhe fizikisht të vendosë kontakte në terren me pjesëtarët e komuniteteve që kanë qasje të kufizuar tek Avokati i Popullit.