Twitter Facebook Youtube

Nën patronatin e Qeverisë së Kosovës u shënua 8 Prilli-Dita Ndërkombëtare e Romëve

08.04.201111:13

“Si Kryeministër, unë ju siguroj se dispozitat e përcaktuara në Kushtetutë, lidhur me mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve që sigurojnë qasje të barabartë të Romëve në shoqëri, si qytetarë të barabartë të Kosovës, do të vazhdojnë të zbatohen në praktikë”, tha kryeministri Thaçi në konferencën ceremoniale të organizuar për nder të 8 prillit-Ditës Ndërkombëtare të Romëve     

Prishtinë, 8 prill 2011


8 Prilli-Dita Ndërkombëtare e Romëve, festë kjo që kremtohet sot nga mijëra qytetarë rom në gjithë Evropën, u shënua edhe në Kosovë në mbështetje të plotë të Qeverisë së Kosovës. Kjo ditë njëherit shënon edhe jubileun e dyzetë të Kongresit të parë Ndërkombëtar Rom të vitit 1971 dhe përpjekjet  e para të qytetarëve rom për t'u bashkuar me qëllim të  zgjidhjes së problemeve me të cilat ky komunitet përballej anekënd Evropës.

Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrë të Kryeministrit edhe këtë vit shënoi Ditën Ndërkombëtare të Romëve, përmes organizimit të konferencës ceremoniale ku morën pjesë krerë të lartë të institucioneve vendore dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë.

Në fjalimin e tij dhe urimet drejtuar qytetarëve romë, Kryeministri Thaçi shprehu kënaqësinë që sot ndante me ta, duke e konsideruar këtë si një ditë që i bashkon qytetarët e Kosovës pavarësisht nga dallimet etnike, kulturore apo religjioze. Duke bërë të ditur që Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës janë ato të cilat rregullojnë çdo marrëdhënie midis shtetit dhe qytetarëve dhe midis qytetarëve me njëri-tjetrin, tha se “Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar të sigurojë që dispozitat e përcaktuara në Kushtetutë, lidhur me mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve, do të mundësojnë qasje të barabartë të romëve në shoqëri, si qytetarë të barabartë të Kosovës”.

“Kosova gjatë këtyre tri viteve të shtet-formimit ka arritur që përmes kornizës ligjore të garantojë dhe mbrojë të drejtat e të gjitha komuniteteve në vend. Garantimi i të drejtave të komunitetit rom bëhet me qëllim të vetëm për përmirësimin e pozitës dhe gjendjes së komunitetit romë në Kosovë”, theksoi Kryeministri Thaçi.

Në vazhdim të fjalës së tij, Kryeministri Thaçi tha se komuniteti romë është një nga komunitetet që ka kontribuar në aspektin shumë-kulturor të shtetit të Kosovës. Ai vlerësoi lartë angazhimet e institucioneve të Qeverisë së Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë në implementimin e projekteve që drejtpërsëdrejti synojnë përmirësimin e kushteve të jetesës  së komunitetit romë dhe komuniteteve tjera, siç është projekti “Ali Ibra” në komunën e Gjakovës, projekti i ndërtimit të shtëpive në Novobërdë, mbyllja e kampeve të kontaminuara si dhe projekte tjera të kulturës dhe infrastrukturës në përgjithësi.

Kryeministri Thaçi bëri të ditur se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë edhe më tej përkushtimin e plotë në mbështetje të të gjitha komuniteteve në Kosovë, e në veçanti përkushtimin për krijimin e mundësive sa më të mira për qytetarët e komunitetit romë, si pjesë e shoqërisë kosovare.  Ai tha se “Kosova ka arritur të fitojë statusin e vëzhguesit në Komitetin Ndërkombëtar Drejtues të Dekadës Rome, si një forum i përbashkët i Evropës dhe Ballkanit”.

Në vazhdim, kryeministri Thaçi tha se Qeveria e Kosovës ka pasur rastin të faktojë në mënyrë të shkëlqyer, respektin ndaj lirive dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe angazhimin në veçanti ndaj komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian, përmes punës së institucioneve të Qeverisë së Kosovës në implementimin e Strategjisë për integrimin e këtyre komuniteteve.

“Një numër i konsiderueshëm i  veprimeve të parapara në Strategjinë për integrimin e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë janë duke u implementuar nga ana e ministrive përkatëse”, tha Kryeministri Thaçi.

Kremtimin e Ditës së Romëve e përshëndeti edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Ministrisë së Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic, duke theksuar përkushtimin e plotë të institucioneve që ai drejton në përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët romë.

Angazhimin e Qeverisë së Kosovës e vlerësoi lartë edhe Zëvendës-përfaqësuesi civil ndërkombëtar në Kosovë, Christopher Rowan, i cili theksoi se Qeveria e Kosovës tashmë ka bërë traditë kremtimin e kësaj dite të rëndësishme duke mbështetur për të tretin vit me radhë Ditën Ndërkombëtare të Romëve.

“Komuniteti romë ka një histori të lashtë në Kosovë që është edhe kontribut në diversitetin e tyre etnik, kombëtar,  gjuhësor dhe religjioz. Pjesëmarrja dhe kontributi efektiv i romëve është pjesë integrale e zhvillimit të mëtejshëm të një shoqërie demokratike dhe pluraliste në Kosovë”, tha z. Rowan. 

z. Rowan në vazhdim tha se është i impresionuar me faktin që Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë dhe USAID-in, kanë mbyllur kampet e kontaminuara në Çesmin Lug të Mitrovicës së Veriut. Ai po ashtu tha se është i inkurajuar të shohë që komuniteti romë ka më shumë mundësi  të përkrahura fuqishëm për promovimin e ngritjes së vetëdijesimit për identitetin, kulturën dhe të drejtat e tyre.

Ndërkaq, ministrja e Ministrisë për Integrim Evropian, Vlora Çitaku, tha se përfaqësimi i barabartë i qytetarëve romë në institucione të nivelit qendror dhe lokal si dhe kthimi i qëndrueshëm janë edhe një ndër kushtet drejt integrimit evropian dhe liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Kosova duhet të bëj edhe më shumë në riatdhesimin e qytetarëve romë për të përmbushur edhe një kusht për liberalizimin e vizave”, tha ministrja Çitaku.

Në vazhdim të fjalimit të saj, ministrja Çitaku tha se jo vetëm Kosova por edhe të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë të përkushtuara për përfshirjen sa më të madhe të romëve në shëndetësi,  arsim, ekonomi dhe në të gjitha sferat tjera që ndikojnë direkt në përmirësimin e kushteve të jetesës.

Ceremoninë e përshëndetën edhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Radojica Tomic, presidenti i Partisë së romëve, Zylfi Merxha, Përfaqësuesi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, z. Patrick Schmelzer, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile të cilët theksuan përkushtimin e institucioneve dhe organizatave  që ata drejtojnë, në përkrahjen e integrimit dhe përmirësimit të kushteve për të gjitha komunitetet, e në veçanti komunitetin romë. Në fjalimet e tyre u veçua çështja e kampeve të kontaminuara  dhe implementimi i Strategjisë për integrimin e komuniteteve RAE, çështje këto për të cilat institucionet vendore dhe ndërkombëtare janë  duke punuar me përkushtim.

Konkurse
Kategoria
All
Buletinet - 2013

Projekti i finansuar nga Zyre per Çeshtje te Komuniteteve

www.posaonakosovu.com